Trajneri i Real Madrid, Zhoze Murinjo, nuk ka pranuar se duhet të kthehet në Angli me çdo kusht. Ai ka konfirmuar se është duke blerë një shtëpi të re familjare në kryeqytet. Por qëllimi i vërtetë i vizitës ka shkaktuar një debat mes mediave britanike dhe atyre spanjolle.
Një burim i afërt me Real Madrid foli për anglezen “The Sun” rreth vizitës së Murinjos: “Zhoze thotë se ai do të presë për të parë se çfarë ndodh në Angli në muajt e ardhshëm”.
“Ndoshta Herri Redknap do të lërë Totenhem për të marrë kombëtaren e Anglisë! Ndoshta Roberto Mançini shkarkohet sepse humb titullin me Mançester Siti! Ndoshta Andre Vijas-Boas do t’i mbijetojë shkarkimit te Çelsi! Këto janë tre vende të mira dhe të tre skuadrat do të konkurrojnë për Zhoze”.
Sipas kësaj gazete, Murinjo, i cili fiton 12.5 milionë euro në një sezon, është i vendosur për të lënë kampionatin spanjoll. Një i besuar i tij shtoi: “Ai do të presë dhe të shohë se çfarë ndodh pastaj të tregojë mendjen e tij në fund të sezonit. E vetmja gjë që është e sigurt është se ai do të lërë Realin në verë dhe të vijë në Angli. Por kjo nuk ka të bëjë me paratë. Ai është duke kërkuar një projekt të ri, një sfidë e re”.
Në anën tjetër, gazeta spanjolle “EcoDiario” thotë se Murinjo në ditët e fundit i ka paraqitur klubit madrilen një listë me gjashtë lojtar për afatin kalimtar veror duke planifikua sezonin e ardhshëm. Por këtë radhë madrilenët kanë bërë të qartë se nuk do të lëvizin për asnjë nga objektivat derisa ai të bëjë të qartë a do të qëndrojë në sezonin e ardhshëm.
Lojtarët e kërkuar nga Murinjo janë: Mario Fernandes (21 vjeç, Gremio), Kail Uollker (21 vjeç, Totenhem), Fernando (24 vjeç, Porto), Nemanja Vidiç (30 vjeç, Mançester Junajtid), Eden Hazard (21 vjeç, Lilë) dhe Mario Gëtze (19 vjeç, Borusia Dortmund). (LajmeShqip.com)
Thursday, 01 March 2012 13:11