Fitorja për herë të parë e SHBA kundër Italisë në një ndeshje miqësore nuk ka shqetësuar Çezare Prandelin, i cili është i bindur se kombëtarja që drejton do të bëjë maksimumin kur të vijë koha për të luajtur në ndeshjet zyrtare të Euro 2012.
“Ka qenë një humbje e pamerituar, por me këtë shpirt të lartë gare jam i sigurt se do të bëjmë një Evropian të shkëlqyer. Deri tani kemi humbur vetëm miqësoret dhe shpresoj që të vazhdohet në këtë mënyrë, duke fituar ndeshjet që kanë rëndësi. Po të kisha më shumë kohë në dispozicion do të gjeja zgjidhje për problemet që kemi. Gjithsesi, më pëlqeu shpirti i garës, sidomos në pjesën e dytë ku ishim më ngulmues. Ekipi nuk e nënvlerësoi asnjëherë kundërshtarin”, tha tekniku italian.
Problemet më të mëdha, Italia i ka në fazë sulmuese ku dëmtimet e Kasanos dhe Rosit kanë bërë që ky repart të humbë dy titullarë të rëndësishëm që duhen zëvendësuar sa më mirë dhe sa më shpejt.
“Është një repart që duhet ndërtuar nga e para. Erdhën disa dëmtime të papritura dhe tani duhet të punojmë mbi mënyrën se si duhet ndërtuar loja ofensive me alternativat që kemi. Por jam i sigurt që në maj do të jemi gati edhe me zgjidhjet në repartin e sulmit”, përfundoi trajneri i Italisë. (LajmeShqip.com)
Thursday, 01 March 2012 11:15