Stjuart Pirs nuk ka hequr përfundimisht emrin e tij nga lista e pretendentëve për stolin e përfaqësueses angleze. Shumë prej tifozëve në “Uembli” kanë thirrur në kor emrin e tij, duke ftuar ish-futbollistin legjendar që të vazhdonte punën “e përkohshme” me këtë kombëtare. Por Pirs ka bërë të qartë se ai po punonte thjesht për t’i dhënë kohën e duhur Federatës Angleze që të zgjidhte një trajner sa më të mirë dhe mund të drejtonte këtë përfaqësuese vetëm nëse nuk do të kishte emra të tjerë.
“Padyshim, mendoj se jam i aftë të drejtoj kombëtaren angleze në Evropian. Kjo nuk do të ishte e lodhshme për mua pasi këtë javë jam kënaqur shumë. Nëse më jepet kjo mundësi, do të jetë fantastike”.
“Por për momentin unë thjesht jam duke fituar kohë për Federatën Angleze derisa të gjendet një emër tjetër. Puna me kohë të plotë te Anglia për momentin është e një personi tjetër, jo e imja”.
“Unë jam trajner i U-21 dhe ata kishin nevojë për dikë që të plotësonte boshllëkun. Jam i sigurt që Federata do të përfundojë procesin e përzgjedhjes së trajnerit para verës. Nëse ata nuk arrijnë të gjejnë dikë deri atëherë, e dinë që unë jam gati dhe puna është e planifikuar që tani”, u shpreh Pirs që drejtoi skuadrën në humbjen 3-2 përballë Holandës. (LajmeShqip.com)
Thursday, 01 March 2012 10:08