Zëdhënësi për shtyp i Barcelonës, Toni Freiksa, ka bërë thirrje që t’i jepet fund spekulimeve rreth të ardhmes së Pep Guardiolës si trajner i kësaj skuadre.
Tekniku katalanas ka kërkuar më shumë kohë që të mendojë nëse do të rinovojë apo jo me këtë klub, ku ka fituar 13 trofe ne tre sezonet e para, ndërsa përgatitet të mbyllë të katërtin.
“Ajo që kërkon Guardiola është kuptueshme dhe ai duhet të lejohet të punojë në paqe”, tha Freiksa për “8TV”.
“Është normale për dikë që ka kaluar katër vite në nivelin më të lartë të kërkojë të mendojë pak për gjërat”, vijoi ai duke shtuar se klubi kishte besim të plotë te Guardiola dhe se ky i fundit ishte “trajneri më i mirë që mund të ketë Barça”.
Por zëdhënësi për shtyp i katalanasve, duke dashur të qetësojë tifozët për të ardhmen, i ka hapur rrugë spekulimeve të tjera pasi ka pranuar se klubi po punon për një të ardhme pa Guardiolën.
“Pep, drejtori sportiv Zubizarreta dhe pjesa tjetër e skuadrës po planifikojnë që tani sezonin e ardhshëm. Klubi do të vazhdojë të jetë më i miri në botë, me këtë trajner apo një tjetër. Tifozët nuk duhet të shqetësohen për këtë”, përfundoi Freiksa. (LajmeShqip.com)
Wednesday, 29 February 2012 14:49