Sulmuesi shqiptar Hamdi Salihi ka qenë protagonist për skuadrën e tij DC Junajtid që në ndeshjen e parë miqësore të sezonit. Të gjithë ata që prinin të shihnin në veprim goleadorin shqiptar nuk janë zhgënjyer, pasi ai me rastin e tij të vetëm ka arritur të dërgojë topin në rrjetë në mënyrë spektakolare, duke lënë gojëhapur tifozët dhe shokët e skuadrës.
Pas 66 minutave në hije gjatë ndeshjes kundër Çikago, ku deri atëherë ishte mjaftuar vetëm me disa prekje të topit, Salihi ka treguar aftësitë e tij me një gjuajtje diagonale fluturimthi, të pakapshme për portierin kundërshtar.
“Jam shumë i lumtur. Ishte ndeshja ime e parë me skuadrën, unë shënova dhe ne fituam. Më pëlqen, por kemi ende shumë për të bërë. Nuk jemi skuadra perfekte, por jam i lumtur pasi jemi në rrugën e duhur dhe po punojmë çdo ditë. Hap pas hapi do të bëhemi gati për ndeshjen e parë dhe do të shfaqemi shumë më mirë në fushë e lojës”, ishte komenti i sulmuesit shqiptar para mediave amerikane.
Ekzekutimi i goditjes drejt portës ka lënë të shtangur specialistët e futbollit në SHBA, por edhe vetë shokët e skuadrës së Salihit, të cilët janë të lumtur që kanë në skuadër një sulmues kaq të fortë.
“Shumë njerëzve as nuk u shkon ndër mend të gjuajnë topin nga ai pozicion, ndërsa ai e dërgon në rrjetë. Ishte një finalizim perfekt dhe kjo është arsyeja pse e sollëm këtu. Një gol në një ndeshje, mendoj se do ta pranojmë në ekip me këtë përqindje shënimi”, ishte batuta e Kris Pontius.
“Vetëm ta shohësh të provojë këtë gjuajtje… isha i lumtur për të. Ishte një gjë e bukur që arriti të finalizonte ndeshjen në këtë mënyrë. Është diçka e mirë të shohësh dike që ka instinkte të tilla para portës kundërshtare. Jam i lumtur dhe pres me padurim të ndërtoj një bashkëpunim më të mirë në fushën e lojës pasi Salihi është një ndihmë shumë e madhe për ne”, ishte komenti i sulmuesit tjetër të skuadrës, Duejn De Rosario. (LajmeShqip.com)
Sunday, 26 February 2012 09:59