Arsenali është gati t’i ofrojë Robin Van Persi një kontratë të re, me një rrogë që kalon shifrën e 150 mijë paund në javë, shumë më tepër se sa mendohej, vetëm që të sigurojë shërbimet e sulmuesit për një tjetër katërvjeçar.
Sipas “Daily Mail”, oferta do të përfshijë një “kuotë për firmosjen” prej 5 milionë paund, ndërsa rroga në vetvete do të jetë diçka më shumë se 130 mijë paund në javë.
Kjo do ta bëjë atë lojtarin më të paguar të të gjitha kohërave te Arsenali, ndonëse “topçinjtë” janë të ndërgjegjshëm se holandezi nuk ta marrë vendimin e tij duke u bazuar vetëm te paratë, por edhe të mundësia që i jep klubi për të siguruar trofe.
Gjithçka do të vendoset nga objektivat që do të arrijë Arsenali në këtë sezon, ku thelbësor është kualifikimi në Ligën e Kampioneve për sezonin e ardhshëm. Në këtë mënyrë, Van Persi mund të bindet se klubi do të tërheqë pranë vetes lojtarë të tjerë të njohur.
Emrat më të përmendur janë ato të Mario Gëtze dhe Lukas Podolski, por vështirë se dy futbollistët gjermane do të pranojnë të transferohen në një klub që nuk merr pjesë në Ligën e Kampioneve. (LajmeShqip.com)
Sunday, 26 February 2012 13:30