Milan dhe Juventus janë ndarë në barazim 1-1 në ndeshjen e javës së 25-të të Serisë A por nuk mund të thuhet kurrsesi se janë ndarë paqësisht mes tyre. Ndeshja ka qenë mjaft e tensionuar për shkak të debateve rreth arbitrave dhe pezullimit të Ibrahimoviç, polemika që do të vazhdojnë duke parë atë që ndodhi në fushën e lojës.
Sfida ka filluar më së miri për vendasit e Alegrit, që kanë vënë menjëherë nën trysni mbrojtjen e Juventus duke detyruar bardhezinjtë të gabojnë. Në një nga këto raste, në minutën e 15-të, Bonuçi i fal topin Noçerinos, i cili nga distanca, falë edhe një devijimi, arrin të mposhtë Bufon. 1-0 dhe “San Siro” është në delir!
Pritet reagimi i Juventus, por bardhezinjtë duken të trembur para shpejtësisë së manovrës kuqezi. Këta të fundit, gjejnë edhe golin e dytë në minutën e 24-t me një gjuajtje me kokë të Muntari, por vijërojtësi Romanjoli, në mënyrë të pabesueshme, nuk sheh që Bufon e pret topin brenda portës së tij dhe bën shenjë që loja të vazhdojë mes protestave të kuqezinjve.
Ky episod bën që ndeshja të tensionohet më shumë dhe lojtarët e të dy skuadrave nuk kursejnë gjestet antisportive ndaj njëri-tjetrit, ndërsa rastet e mirëfillta para portave mungojnë.
Në pjesën e dytë, Juventus mundohet të marrë kontrollin e lojës po nuk ia arrin, pasi Milani është mjaft i sigurt në mbrojtje dhe vë gjithmonë në vështirësi prapavijën bardhezi me kundërzbritjet e shpejta të Emanuelson, Robinjo dhe El Sharaui.
Por kur duket se kuqezinjtë i kanë mbyllur çdo shteg Juventusit, në minutën e 82-të vjen goli i barazimit me autor Matrin, i cili shënon në portën e Abiatit duke mundur në shpejtësi Tiago Silvan.
Gjithçka përfundon 1-1, mes polemikave të ashpra që sjellin edhe një debat në fushën e lojës mes thuajse të gjithë futbollistëve të të dy skuadrave, ku përzihen edhe drejtuesit respektivë.
Milan mbetet kryesues i kampionatit me 51 pikë, ndjekur me një pikë më pak nga Juventusi, por bardhezinjtë kanë ende një ndeshje të prapambetur për të zhvilluar. (LajmeShqip.com)
Saturday, 25 February 2012 23:13