Skuadra e Çelsit i është kthyer fitoreve dhe vendit të katërt në renditjen e kampionatit anglez falë suksesit 3-0 ndaj Bolton, ku pjesën më të madhe të meritës e kanë patur ”veteranët”.
Londinezët kanë ndalur në këtë mënyrë një seri prej 5 ndeshjesh radhazi pa fitore, duke i dhënë mundësinë trajnerit Vijas-Boas të marrë frymë pak më qetë pas disa javësh radhazi nën presionin e shkarkimit nga detyra.
Avantazhi erdhi në minutën e 48-të kur David Luiz gjeti hapësirë në zonë dhe arriti të dërgonte topin në rrjetë me një kthesë të shpejtë.
Goli i dytë u shënua në minutën e 61-të, kur Didier Drogba devijoi me kokë në rrjetë një goditje këndi të Lampard. Edhe ky i fundit shtoi emrin në listën e golashënuesve në minutën e 78-të, kur arriti të dërgonte në rrjetë një pasim të saktë të Huan Mata.
Në ndeshjet e tjera, Njukasëlli ka qenë në avantazh të dy golave në pjesën e parë përballë Ulvërhempton, por në pjesën e dytë, kanë qenë miqtë që kanë shënuar me Xhervis dhe Doil për të barazuar rezultatin në 2-2.
Si rrjedhojë e këtij barazimi, Njukasëll ka mbetur në vendin e 6-të në renditje, duke humbur mundësinë për t’iu afruar më tepër vendit të katërt që siguron pjesëmarrjen në Ligën e Kampioneve. (LajmeShqip.com)
Rezultatet
Çelsi-Bolton 3-0
Njukasëll-Ulvërhempton 2-2
QPR-Fullhem 0-1
Uest Bromuiç-Sandërlend 4-0
Uigan-Aston Vila 0-0
Saturday, 25 February 2012 18:45