Majemi zbriti me këmbë në tokë Xhermeni Lin, në ndeshjen e fundit për pjesën e parë të sezonit, duke mundur Nju Jork me rezultatin 102-88. Skuadra e Floridas kishte bërë si mision të sajën të ndalte me çdo kusht yllin e ri të Nju Jork dhe ia ka arritur qëllimit më së miri duke bërë që organizatori të kalojë një nga netët më të errëta të karrierës së tij. Lin shënoi vetëm 8 pikë (humbi 10 nga 11 gjuajtjet nga fusha) dhe 3 pasime, ndërsa ia dorëzoi 8 herë topin kundërshtarëve. Për Majemin, paraqitja më e mirë erdhi nga LeBron Xhejms i cili zhvilloi një ndeshje thuajse të përkryer në çdo aspekt me 20 pikë, 9 topa në tabelë, 8 pasime, 5 vjedhje dhe 2 bllokime. Ky ishte suksesi i 8-të radhazi për Xhejms & Co. që mbeten në kreun e renditjes së NBA bashkë me Oklahoman.
Pikërisht këta të fundit kanë mposhtur LA Leikërs me rezultatin 100-85. Kevin Durant udhëhoqi ofensivën e vendasve me 33 pikë, 6 pasime e 4 topa në tabelë, duke ndihmuar skuadrën e tij të mbajë kryesimin gjatë të gjithë pjesës së dytë të takimit për t’i rezistuar tentativës për rikuperim të kundërshtarëve. Kobi Brajant u kthye edhe një herë lojtari më i mirë për LA Leikërs por 24 pikët e tij nuk e ndihmuan dot skuadrën të merrte një fitore në transfertë, pika më e dobët e kalifornianëve në këtë sezon. (LajmeShqip.com)
Rezultatet
23.12.2012
Nju Jork-Majemi 88-102
Orlando-Atlanta 78-83
San Antonio-Denver 114-99
LA Leikërs-Oklahoma 85-100
Friday, 24 February 2012 09:02