Situata te klubi i Lacios ka marrë një kthesë të papritur dhe aspak të këndëshme për një ekip që synon pjesëmarrjen në Ligën e Kampioneve në sezonin e ardhshëm. Trajneri Edi Reja ka dhënë dorëheqjen pas një debati me Igli Taren, drejtorin sportiv të skuadrës, por ky vendim nuk është pranuar nga presidenti Lotito që e ka bindur të udhëtojë me ekipin drejt Madridit.
Në fakt, vendimi i Rejas ka ardhur vetëm një ditë para ndeshjes me Atletiko Madrid, të vlefshme për Europa League. Shanset e lacialëve për t’u kualifikuar janë të pakta pasi bardhekaltërit janë mundur 3-1 në shtëpi në ndeshjen e parë.
Kjo humbje dhe sidomos disfata 5-1 përballë Palermos në kampionat, kanë bërë që dy ditë më parë, në qendrën stërvitore të skuadrës të shpërthente një polemikë mes trajnerit dhe Igli Tares. Ky i fundit akuzohej nga trajneri se nuk kishte qenë në gjendje të vepronte gjatë merkatos së janarit për të përforcuar skuadrën.
Pas këtij debati, Reja ka dhënë dorëheqjen dhe vetëm një bisedë me presidentin Lotito e ka bindur që të hipë me ekipin në avionin që çonte skuadrën në Madrid.
Megjithatë, kjo pritet të jetë ndeshja e tij e fundit me skuadrën e kryeqytetit, pasi gjatë këtyre dy ditëve, lacialët do të fillojnë të kërkojnë për zëvendësuesin e tij, ku emri më i përmendur është ai i Xhixhi De Kanio. (LajmeShqip.com)
Wednesday, 22 February 2012 17:36