Zlatan Ibrahimoviç e ndjekin telashet. Këtë radhë, futbollisti suedez ka dëmtuar pa dashje një gazetare, duke e goditur me pasqyrën e makinës së tij ndërsa po largohej me shpejtësi nga ambientet e klubit kuqezi.
Në përfundimin e stërvitjes së djeshme, Ibra ka hipur në makinën e tij “Audi A3” dhe është larguar me shpejtësi nga dera rrethuese e qendrës stërvitore të Milanelos. Por në rrugën private jashtë ambienteve të klubit, gjendej gazetarja V.R., e cila ka zgjatur mikrofonin drejt makinës së suedezit për të kërkuar një prononcim.
Por Ibrahimoviç nuk është ndalur duke goditur me pasqyrën e makinës mikrofonin dhe dorën e gazetares, ndërsa kjo e fundit është detyruar të thërrasë ambulancën për të marrë mjekim pasi goditja ka qenë e fortë.
Sipas asaj që raporton “Gazzetta Dello Sport”, sulmuesi suedez duhet të bëhet gati për një çështje gjyqësore pasi gazetarja në fjalë ka ndër mend ta denoncojë. (LajmeShqip.com)
Wednesday, 22 February 2012 10:33