Ndeshja Milan-Juventus ka filluar në media dhe këtë gjë më së miri e tregojnë deklaratat e njëpasnjëshme të Masimiliano Alegrit, trajnerit të kuqezinjve. Ky i fundit i është kundërpërgjigjur menjëherë “lëvdatave” të kampit kundërshtar që cilëson Milanin favorit për suksesin.
“Sfida e të shtunës nuk është thelbësore por shumë e rëndësishme. Polemikat? Besoj se janë pjesë e lojës dhe duke qenë të dyja skuadra kreu janë normale”.
Ai nuk ka ngurruar të flasë për të disatën herë rreth Andrea Pirlos, lojtarit “të falur” që po ndihmon Juventusin të qëndrojë në nivele të larta në këtë sezon. “Ai është një lojtar i jashtëzakonshëm. Në Torino ka gjetur motivime të reja, të cilat sigurisht në Milano pas 10 viteve ishin zbehur. Por cilësia e tij nuk diskutohet”.
Në dispozicion për këtë sfidë do të kthehet Pato, por ndoshta jo Ibrahimoviç. “Pato është më mirë. Ai është një profesionist dhe të shtunën do të jetë në dispozicion. Nuk e cilësoj kurrsesi një zhgënjim. Maksi Lopez e kam përgëzuar me kohë pasi po ecën mjaft mirë. Jam i lumtur që ka ardhur te Milani”.
“Ibra? Ai është një djalë i mirë dhe bujar. Këtë e tregon mënyra sesi stërvitet, si luan e sidomos fakti që vihet gjithmonë në vijë të parë për të mbrojtur të tjerët. Mendoj se është një kampion dhe jam i lumtur që erdhi te Milan kur erdha edhe unë”, përfundoi trajneri i kuqezinjve. (LajmeShqip.com)
Monday, 20 February 2012 22:08