Klaudio Ranieri është vetëm një ndeshje larg shkarkimit si trajner i Interit.
Sipas “Mediaset”, presidenti i zikaltërve, Masimo Morati, ka refuzuar të flasë me Ranierin pas humbjes me Bolonjën. Në vend të tij, me trajnerin ka folur Marko Branka, ndërsa një mbledhje bordi u bë të dielën paradite në ambientet e klubit.
Branka gjithashtu kontaktoi edhe me agjentin e Ranierit, Bepe Boco, të cilin e informoi se një humbje e rëndë në Ligën e Kampionëve kundër Olimpik Marsejë kësaj jave, do të rezultojë në shkarkimin e menjëhershëm.
Plani rezervë është gati prej kohësh, me Bepe Barezin dhe Luis Figon që do të ulen në stolin e skuadrës, ndërsa stafit teknik mund t’i shtohet edhe Marko Materaci.
Ndërkohë, vetë Ranieri e ka të qartë se ndeshja ndaj Marsejës është shumë domethënëse për ecurinë e sezonit, ndërsa ka zbuluar se aktualisht Shnajder nuk mund të luajë bashkë me dy sulmues.
“Shnajder është një zgjidhje, nuk është një problem, po duhet përdorur në momentin e duhur. Tani është momenti për të marrë vendime dhe Shnajder nuk mund të luajë me dy sulmues, pasi kështu humbim një lojtar në mesfushë. Sfida e Marsejës do të jetë shumë e rëndësishme, pas aty do të kemi mundësinë për të marrë veten”, ishin fjalët e Ranierit. (LajmeShqip.com)
Monday, 20 February 2012 11:03