Përfundon në shtëpi seria pozitive e fitoreve për Nju Jork dhe Xheremi Lin. Organizatori i ri i kësaj skuadre, i kthyer në hero dy javët e fundit falë kontributit të tij në 7 ndeshje radhazi që sollën po aq fitore, këtë radhë ka dështuar tërësisht përballë Nju Orlins, duke qenë protagonist në humbjen 89-85 pikërisht përballë publikut të tij. Disfata ka ardhur si pasojë e gabimeve të bëra nga organizatori i cili i ka falur 9 herë topin ekipit kundërshtar që e ka shfrytëzuar këtë mundësi për t’u shkëputur dhe për të udhëhequr që nga fillimi, deri në fund.
LeBron Xhejms është treguar përsëri i pamëshirshëm ndaj ish-skuadrës së tij, Kliveland, duke udhëhequr Majemin në fitoren 111-87 në pallatin e sportit ku ai cilësohet “armik publik” dhe ku deri 2 vite më parë gjendej një poster gjigand i tiji. Xhejms e ka kthyer këtë ndeshje në një shfaqje personale duke shënuar 28 pikë, 5 topa në tabelë e 5 pasime, ndërsa qëndroi i ulur në stol gjatë të gjithë periodës së katërt. Ndërkohë, në Konferencën e Perëndimit, fitoret më të rëndësishme kanë qenë ata të Oklahoma përballë Golden Steit si dhe të Dallas përballë Filadelfia. (LajmeShqip.com)
Rezultatet
17.02.2012
Miluoki-Orlando 85-94
Sharlot-Toronto 98-91
Majemi-Kliveland 111-87
Sakramento-Detroit 108-114
Denver-Memfis 102-103
Minesota-Hjuston 111-98
G. Steit-Oklahoma 87-110
Dallas-Filadelfia 82-75
Nju Orlins-Nju Jork 89-85
Uashington-Utah 100-114
Feniks-LA Leikërs 99-111
Saturday, 18 February 2012 09:18