Presidenti i Uruguait, Zhoze Muhika, mbrojti futbollistin e Liverpulit, Luis Suarez, nga akuzat që i bëhen për racizëm gjatë një emisioni radiofonik.
“Suarez nuk është racist dhe nuk do të jetë i tillë asnjëherë”, u shpreh ai, duke shtuar se futbollisti i kombëtares së Uruguait, kishte nevojë “të ndjente nga larg dashurinë njerëzore që Uruguai kishte për të”.
Muhika foli rreth kësaj teme edhe në një intervistë të dhënë për revistën e përjavshme “Busqueda”, duke theksuar se dënimi prej 8 ndeshjesh ndaj futbollistit kishte qenë “i ekzagjeruar”.
“Disa njerëz nuk e kuptojnë që Suarez nuk ka studiuar protokollin diplomatik. Ai është një djalë i jashtëzakonshëm në fushë, një person i përulur që vjen nga varfëria. Kjo është arsyeja pse ne e duam atë”, deklaroi presidenti i Uruguait.
Të gjithë njerëzit në Uruguai mendojnë se përplasja me Evra është thjesht një “keqkuptim mes kulturash të ndryshme”. Argumenti që Suarez nxori në favor të tij pasi u dëgjua nga një panel i Federatës Angleze, ishte se në vendin e tij, fjala “negro” që ai kishte përdorur kundër Evra, ishte thjesht një “formë miqësore e të thirrurit të personave me ngjyrë”, ndërsa edhe në pjesë të tjera të Amerikës së Jugut nuk shihej si një ofendim. (LajmeShqip.com)
Friday, 17 February 2012 12:53