Agjensia shtetërore e lajmeve kineze bëri të ditur se një ish-gjyqtar që ka drejtuar në Kampionatin Botëror, është mes 9 personave të dënuar me burgim për korrupsion dhe trukim rezultatesh sportive.
Agjensia “Xinhua” tha se gjyqi i mbajtur në verilindje të Kinës, dënoi Lu Jun me 5 vjet e gjysmë burg, pasi ai kishte marrë rreth 130 mijë dollarë për të manipuluar 7 takime të kampionatit kinez të futbollit.
Lu është gjyqtari më i njohur kinez, ndërsa ka drejtuar dy takime në Kupën e Botës së vitit 2002 që u mbajt në Korenë e Jugut dhe Japoni.
Megjithatë, ai mund të cilësohet me fat, pasi duke qenë punonjës shtetëror, ai mund të dënohej edhe me ekzekutim për mashtrimin publik që kishte bërë, sipas legjislacionit kinez.
Shteti kinez ka bërë të qartë se në rast të zbulimit të manipuluesve të tjerë të ndeshjeve, masat do të jenë më drastike, duke paralajmëruar se burgimi do të ishte minimumi i mundshëm. (LajmeShqip.com)
Thursday, 16 February 2012 19:18