Oklahoma ka hedhur një tjetër hap të gabuar në ndeshjen kundër Hjuston, duke u mundur me rezultatin 96-95 dhe duke humbur njëkohësisht edhe rekordin më të mirë të sezonit në NBA, që tani i përket Çikagos. Kevin Durant (33 pikë, 8 topa në tabelë) dhe Rasëll Uestbruk (26 pikë, 8 topa në tabelë, 4 pasime) kanë qenë në formën e tyre të zakonshme, por askush nuk e priste kundërpërgjigjen e Kevin Martin i cili shënoi 32 pikë për t’i dhuruar suksesin në sekondat e fundit skuadrës së tij. Pas kësaj humbje, Oklahoma ndjen më afër ndjekësit në Konferencën e Perëndimit, pasi San Antonio ka fituar takimin e 9-të radhazi në këtë sezon dhe bashkë me LA Klipërs janë vetëm 2 ndeshje pas tyre.
Ndërkohë, Nju Jorku vazhdon të festojë paraqitjet e Xheremi Lin, që i ka dhënë kësaj skuadre entuziazëm si dhe fitoren e 7-të radhazi. Suksesi 100-85 ndaj Sakramentos ka qenë më i thjeshtë se sa pritej, ndërsa fenomeni i ri i NBA ka treguar aftësitë e tij si organizator, duke shënuar vetëm 10 pikë, por duke dhënë 13 pasime, për të vendosur një tjetër rekord në karrierën e tij të shkurtër si titullar në radhët e kësaj skuadre. Historia e jashtëzakonshme e paraqitjeve të tij e kanë kthyer Xheremi Lin në një fenomen botëror duke ndihmuar jo vetëm rritjen e shikueshmërisë sa herë që luan Nju Jork, por duke ndihmuar edhe në rritjen e popullaritetit të NBA, sidomos në Azi, një treg që nuk kishte shumë kërkesë që pas lamtumirës nga ky sport të Jao Ming. (LajmeShqip.com)
Rezultatet
15.12.2012
San Antonio-Toronto 113-106
Filadelfia-Orlando 87-103
Memfis-Nju Xhersi 105-100
Detroit-Boston 98-88
Sakramento-Nju Jork 85-100
Indiana-Kliveland 87-98
Sharlot-Minesota 90-102
Oklahoma-Hjuston 95-96
Nju Orlins-Miluoki 92-89
Denver-Dallas 84-102
Atlanta-Feniks 101-99
Portland-G. Steit 93-91
Uashington-Klipërs 84-102
Thursday, 16 February 2012 09:03