Menaxheri i Mançester Siti, Roberto Mançini, beson se Milan ka ekipin më të mirë në Serie A, por ka mbështetur Juventusin për fitoren e titullit.
Juventus është pas Milanit me dy pikë po ka dy ndeshje më pak dhe do të shkojë në krye të tabelës në qoftë se mund sot Parmën.
Mançini, i cili fitoi tre tituj të Serie A si trajner i Interit, tha se skuadra e Antonio Konte është e aftë të mposhtë Milanin në garën për kampionatin.
“Unë besoj se Milani ka skuadër të mirë dhe ka cilësi më të madhe”, ka thënë Mançini për “RMC”.
“Megjithatë, unë mendoj se Juventus mund të fitojë titullin e Serie A. Ata kanë treguar deri tani që ata mund të sjellin diçka ekstra. Ne do të shohim se çfarë ndodh sepse kampionati është i gjatë”.
Mançini, i cili udhëhoqi Interin nga viti 2004 deri në vitin 2008, tha se ish-skuadra e tij është ende në gjueti për vendin e tretë në kampionat dhe ndoshta mund të kualifikohet për në Ligën e Kampionëve.
“Është normale që një ekip që ka fituar për kaq shumë vite kalon një periudhë të vështirë”, tha ai.
“Unë ende mendoj se ata do të luftojnë për vendin e tretë, edhe pse Udineze, Lacio dhe Roma kanë të njëjtin objektiv”.
Inter aktualisht mban vendin e pestë në tabelën e Serie A me 36 pikë në 23 ndeshje. (LajmeShqip.com)
Wednesday, 15 February 2012 17:25