Zhose Alberti, agjenti i sulmuesit argjentinas Ezekiel Laveci, ka bërë të ditur se Liverpul dëshiron të nënshkruajë me lojtarin.
“Dy vjet më parë”, tregoi Alberti, “unë kisha një takim me drejtuesit e Liverpul dhe Napoli. Ne diskutuam një marrëveshje të mundshme për të sjellë Lavecin në Angli”.
“Atëherë nuk u realizua asgjë, por unë e di konkretisht se klubi anglez akoma ka interes të madh për lojtarin, sidomos pas përfundimit të këtij sezoni”.
“Unë jam i mendimit se nëse Napoli nuk përmirëson kontratën e futbollistit pas këtij sezoni, ne mund ta shohim atë duke luajtur për Liverpulin”.
Shumëkush e ka parë këtë deklaratë si një presion të mirëfilltë të menaxherit të lojtarit ndaj klubit për një kontratë më të majmë ekonomikisht për fantazistin argjentinas. Kjo edhe për faktin se vetë lojtari ka mohuar të ketë patur oferta nga klubet angleze.
“A do të jem vitin e ardhshëm në Napoli? Besoj se po. Unë ndjehem mirë këtu, kam një kontratë afatgjatë dhe jam i qetë. Oferta për mua nuk ka patur”, ishin fjalët e argjentinasit. (LajmeShqip.com)
Wednesday, 15 February 2012 16:48