Pep Guardiola nuk po kalon një vigjilje të qetë para ndeshjes me Bajer Leverkusenin në Ligën e Kampioneve. Shkak është bërë situata në kampionat ku Reali i Madridit praktikisht ka fituar titullin duke bërë që shtypi spanjoll të kritikojë katalanasit për ndeshjet që kanë gabuar në këto jave, sidomos humbja me Osasunën.
“Nuk më shqeton ajo që u tha pas ndeshjes me Osasunën. As nuk kam menduar se duke fituar shumë nuk do të ndeshesha me situata të tilla. Por fitorja e 13 nga 16 titujt e mundshëm do të thotë se nuk kemi çfarë t’i provojmë askujt”, ishte komenti i tij për ndeshjen e të shtunës.
“Fuqia ime e vetme si trajner është të ndërtoj formacionin dhe e ekzekutoj një gjë të tillë duke u bazuar te ato që shoh dhe ato që ndjej. Më paguajnë për ta bërë një gjë të tillë dhe kam më shumë të dhëna se të tjerët. Për të aktivizuar Ksavi, Iniesta dhe Fabregas duhej të largoja Serxhi dhe Tiago. Por ata nuk po luanin keq! Gjuajtëm 30 herë në portë dhe mbajtja e topit ishte 70%. Nuk mund të bësh më shumë për të rikuperuar disavantazhin. Gabuam 45 minuta ndaj duhet të luajmë njëlloj në të 90 minutat që të mos i lëmë asgjë në dorë fatit. Në kampionatet e kaluara e kemi bërë më së miri duke triumfuar në ‘Santiago Bernabeu’ dhe luajtur në perfeksion”, vijoi ai.
Më pas, ai i është kthyer temës së Ligës së Kampioneve. “Njerëzit mendojnë se meqë në kampionat e kemi të vështirë, do të fitojmë Ligën e Kampioneve. Nëse nuk e fitojmë, do të quhet dështim, a thua se fitorja është një gjë e thjeshtë. Këtë nuk e kuptoj, objektivi është të konkurrosh denjësisht, ashtu siç bëmë në pjesën e dytë ndaj Osasunës dhe të shohim sa larg mund të arrijmë. Bilancet bëhen në fund të sezonit. Kjo Ligë Kampionesh është po aq e komplikuar sa ato dy që fituam apo ajo që humbëm përballë Interit në gjysmëfinale. Neve na kërkohet medoemos të fitojmë 6 trofe çdo vit. Duket sikur kemi fituar të drejtën për të fituar gjithçka. Që nga Milani (1989-1990) askush nuk ka arritur të mbrojë titullin në Champions, po lojtarët e mi nuk kanë çfarë t’i provojnë askujt pasi e kanë treguar tashmë nivelin e tyre”, u ankua Guardiola në konferencën për shtyp ku u fol thuajse aspak për sfidën e nesërme ndaj Leverkusen. (LajmeShqip.com)
Monday, 13 February 2012 20:36