Fitorja në Ligën e Kampioneve nuk është më një fiksim për Zlatan Ibrahimoviç. “Disa vite më parë ishte objektivi për t’u arritur. Por nëse i jep shumë rëndësi, përfundon që nuk e fiton kurrë”. Tani suedezi i Milanit mendon vetëm që të fitojë sa më shumë trofe në karrierën e tij. “Tani kam si objektiv të gjithë trofetë e mundshëm. Nëse do të largohesha sot nga futbolli, do të isha i lumtur me karrierën time”.
“Nëse fitoj, mirë. Nëse nuk fitoj, nuk ka problem. Por kjo nuk ul vlerat e karrierës time pasi kam bërë maksimumin”, ka treguar Ibrahimoviç për revistën zyrtare të Ligës së Kampioneve.
Suedezi është i ndërgjegjshëm se për të fituar duhet një grup. “Fitohen titujt pasi luhet me kampionë, janë shokët e skuadrës që të japin mundësinë për të fituar, nuk është çështje individuale. Kjo është lojë skuadre. Objektivi im ka qenë gjithmonë të jem një futbollist sa më i kompletuar. Këtë objektiv e kam arritur, e di sa çfarë mund të bëj dhe jam i gatshëm të sakrifikohem për t’ia dalë mbanë. Nuk fitohet sepse je numri një, por sepse je në skuadrën numër një”, deklaroi suedezi. (LajmeShqip.com)
Monday, 13 February 2012 20:06