Edhe futbolli shqiptar është dorëzuar para dëborës dhe kushteve atmosferike të papërshtatshme për të praktikuar këtë sport.
Duke parë që situata meteorologjike nuk po përmirësohet dhe për më tepër duke parë gjendjen e mjeruar të ambienteve sportive, Federata Shqiptare e Futbollit ka shtyrë me një javë të gjitha aktivitetet sportive kombëtare.
“Federata Shqiptare e Futbollit, duke ndjekur me vëmendje ngjarjet e fundit në vendin tonë, të cilat për shkak të motit të keq, temperaturave të ulëta dhe reshjeve të vazhdueshme që kanë krijuar probleme të shumta për qytetarët në të gjithë territorin e Shqipërisë, ka vendosur të anulojë të gjithë kalendarin e ndeshjeve të cilat ishin planifikuar për t’u zhvilluar gjatë kësaj jave”, shkruhet në njoftimin për shtyp të dhënë nga FSHF.
Si rrjedhojë, ndeshja e sotme e Kategorisë Superiore, Dinamo-Apolonia 3-3, ka qenë e fundit e këtij muaji për ekipet e elitës së futbollit shqiptar, të cilat do të kthehen në fushë me datë 3 mars. Para tyre do të luhen vetëm ndeshjet e Kupës së Shqipërisë, me datë 23 shkurt. (LajmeShqip.com)
Monday, 13 February 2012 17:58