Drejtuesit e Totenhemit janë vënë në kërkim të një trajneri të njohur për të zëvendësuar Herri Redknap, i cili pritet të ulet në stolin e përfaqësueses angleze në fundin e këtij sezoni.
Dy emrat më të mundshëm për momentin janë ata të Jurgen Klinsman dhe Gus Hidink.
I pari është aktualisht trajneri i përfaqësueses së Shteteve të Bashkuara të Amerikës por nuk do të refuzonte kthimin në Angli te një skuadër ku ka kaluar disa nga vitet e fundit të karrierës së tij si futbollist dhe ku shihet si idhull nga tifozeria.
Edhe holandezi Hidink do të ishte një zgjedhje e goditur për faktin se ai shihet si një nga teknikët më të përgatitur në arenën ndërkombëtare. Rroga nuk do të ishte problem, pasi për të ndihmuar ekonomikisht Totenhemin ka menduar vetë Redknap.
Ky i fundit ka një klauzolë largimi prej 5 milion paund në kontratën e tij aktuale, po meqë pritet të marrë me vete edhe ndihmëstrajnerët, atëherë drejtuesit e Totenhem do të kërkojnë si dëmshpërblim 15 milionë paund nga Federata Angleze. (LajmeShqip.com)
Sunday, 12 February 2012 13:47