Ivica Oliç duket i sigurt se në fund të sezonit do t’i japë lamtumirën Bajern Mynih, pasi nuk po përjeton një periudhë të lumtur këtë sezon. 32 vjeçari ka qenë një lojtar stoli dhe ka kontribuar për ekipin vetëm me 2 gola në ndeshjet ku ka patur mundësinë të aktivizohet.
“Largimi nga Bajern duket gjëja më e mirë e mundshme sapo të hapet merkato e verës, pasi klubi nuk ka folur me mua rreth të ardhmes”.
“Do të kisha dashur që kjo çështje të vendosej që më përpara. Unë kam familje, kam fëmijë që shkojnë në shkollë. Nuk mund të pres muajin maj për të mësuar të ardhmen time. Aktualisht duket e sigurt që do të largohem”.
Ai shpjegoi se dy keqardhjet më të mëdha janë t’u thotë lamtumirë tifozëve dhe që nuk ka arritur të provojë vlerat e tij para trajnerit Jup Heinkes.
“Trajneri ka parë çfarë jam në gjendje të bëj. Mendoj se mund të më besojë më shumë për pjesën e mbetur të sezonit ku ka më shumë ndeshje. Më vjen keq t’i jap lamtumirën tifozëve. Ata e kanë parë se mund të përmbush detyrat e mia këtu pasi kam dhënë paraqitje të mira kohët e fundit”, u shpreh lojtari që ka shënuar 21 gola në 65 ndeshje me bavarezët që nga viti 2009. (LajmeShqip.com)
Sunday, 12 February 2012 13:05