Martin Kaceres ka arritur menjëherë të bëhet një idhull për tifozerinë bardhezi, pasi me dy golat e tij nënshtroi Milanin në “San Siro”. Lojtari shprehet se Juventus nuk duhet t’i vërë limit vetes për rritjen e mëtejshme, pasi ka një përbërje mëse cilësore.
“Ambiciet kanë qenë gjithmonë të njëjtat. Po besoj se ky Juventus është ndryshe nga ai i të kaluarës, shumë lojtarë janë duke u paraqitur mirë si në ndeshje, ashtu edhe në stërvitje. Kam ardhur këtu prej dy javësh dhe i shoh të gjithë të stërviten në maksimum. Del Piero? Ka disa vite te Juve, mendoj se është një mit. Nuk mund të thuash asgjë kundër tij, si person është edhe më mirë. Ai ka shkruar historinë me këtë fanellë”, deklaroi Kaceres për “Sky Sport”.
Nuk mund të mungonte krahasimi me një ekip që uruguaiani e njeh mirë, Barcelonën. “Sa mungon për t’u bërë si Barcelona? Nëse Juve vazhdon me këtë ritëm, nuk mungon shumë. Kjo edhe për faktin se këtë vit po ecim shumë mirë. Por tani më mirë është të përqendrohemi ndeshje pas ndeshje, duke kërkuar gjithmonë të bëjmë maksimumin. Pastaj nëse na takon që nga viti tjetër të luajmë kundër Barcelonës, aq më mirë”, përfundoi futbollisti i Juventus. (LajmeShqip.com)
Friday, 10 February 2012 20:37