Reali i Madridit është gati të sfidojë Barcelonën për të siguruar shërbimet e Robin Van Persi që nga sezoni i ardhshëm. Sulmuesi holandez ka përfunduar në qendër të merkatos shumë muaj para fillimit të saj, por duket e sigurt pjesëmarrja e tij në “El Clasico” që nga sezoni i ardhshëm, mjafton të zgjedhë cilën fanellë të veshë.
Sipas “Marca”, madrilenët kanë filluar të interesohen për Van Persin që nga momenti ku kanë marrë oferta për Higuain. Argjentinasi pritet të largohet në fundin e këtij sezoni drejt Çelsit dhe duhet një tjetër sulmues që të prodhojë të njëjtën sasi golash, në mos më shumë se Benzema.
Për më tepër, Van Persi mund të adaptohet të luajë më i tërhequr në krah, gjë që e bën atë më të nevojshëm për madrilenët.
Por një tjetër gazetë spanjolle “El Mundo Deportivo” po sot bën të ditur se Barcelona ka ndryshuar planin për blerjen e holandezit të Arsenalit. Për të bindur Venger, katalanasit janë gati t’i ofrojnë atij tre futbollistë që kanë shpërthyer nga akademia në ekipin e parë: Tejo, Kuenka dhe Dos Santos.
Kjo është e vetmja mënyrë për të bindur francezin që të pranojë të lëshojë kapitenin të largohet para mbylljes së kontratës së tij.
Pikërisht kontrata e parinovuar është ajo që bën dy klubet spanjolle të shpresojnë, pasi futbollisti nuk është ulur ende në tavolinën e bisedimeve me”topçinjtë”, ndonëse marrëveshja mes palëve përfundon në qershor 2013. (LajmeShqip.com)
Thursday, 09 February 2012 18:56