Havier Zaneti është kthyer në një nga lojtarët legjendarë të historisë së Interit dhe pavarësisht moshës, vazhdon të shprehet në nivelet më të larta duke merituar tituj. Jo rastësisht, të hënën në darkë ai ka marrë çmimin “Sportisti shembullor”, në një ceremoni të organizuar në Milano.
Por kapiteni i Interit ka qenë i kënaqur përgjysmë, pasi nuk ka harruar ndeshjen e humbur 4-0 nda Romës. “Kemi zhvilluar një ndeshje të keqe, Roma dominoi takimin dhe fitoi me meritë. Ishte një javë e vështirë por futbolli është i tillë. Jam dakord me mendimin e presidentit për mobilizim maksimal. E gjithë skuadra duhet të kuptojë se ndaj Novarës duhet reaguar sa më parë”, tha ai.
Argjentinasi është i ndërgjegjshëm se tashmë nuk mund të flitet më për titullin kampion, por duhet kërkuar që të sigurohet pjesëmarrja në Ligën e Kampioneve. “Objektivi ynë është vendi i tretë dhe duhet të bëjmë maksimumin për të arritur në këtë pozicion. Milan-Juventus do të jetë një ndeshje e mrekullueshme, por e tillë do të jetë edhe gara deri në fund mes këtyre dy skuadrave për titullin kampion“, deklaroi Zaneti. (LajmeShqip.com)
Tuesday, 07 February 2012 12:32