Legjenda e Bajern Mynih, Franc Bekenbauer, ka thënë se kampionët në fuqi të Borusia Dortmund janë favoritë për të rifituar titullin, pasi bavarezët kanë probleme të dukshme me formën që pas pushimit dimëror.
Bekenbauer iu kundërpërgjigj trajnerit të Dortmund, Jurgen Klop, i cili vetëm një ditë më parë u shpreh se Bajerni do ta fitonte titullin në maj.
“Të lutëm, harroje këtë modesti të tepruar dhe lojërat kukafshehthi me moton ‘vetëm Bajern do të shpallet kampion’”, ishte komenti i Bekenbauer në kolonën e tij të përjavshme në faqet e gazetës “Bild”. “Klop, ju jeni kampionët në fuqi, tani jeni kryesuesit e kampionatit dhe ju jeni favoritë për titullin”.
Bekenbauer mendon se Bajernit i mungon vetëbesimi që kishte në pjesën e parë të sezonit. “Atyre u mungon besimi me të cilin sulmonin Frank Riberi, Bastian Shvajnshtajger, Tomas Myler dhe Mario Gomez. Ky vetëbesim është pikërisht ajo që ka zbuluar Dortmund, edhe pse kësaj skuadre i mungon Mario Gëtze dhe kanë një ekip me moshë shumë të re”, ishte komenti i Bekenbauer. (LajmeShqip.com)
Tuesday, 07 February 2012 10:02