Kobi Brajant ka siguruar që tani një vend në “Hall of Fame” të NBA falë asaj që ka dhuruar në karrierën e tij duke marrë shumë trofe individualë dhe ekiporë. Por 33 vjeçari vazhdon të vendosë rekorde të njëpasnjëshme. Nëse në fillimin e sezonit ai u bë lojtari më i ri në historinë e NBA që kalon kuotën e 28000 pikëve të shënuara në karrierë, në ndeshjen e mbrëmshme ndaj Filadelfias, ai arriti kuotën e 28601 pikëve, duke kaluar ish-shokun e skuadrës, Shak O’Nill, për t’u bërë basketbollisti i 5-të me më shumë pikë në karrierë në historinë e NBA. Megjithatë, arritja personale e Brajant këtë radhë nuk ndihmoi Leikërs të kalonin Filadelfian, pasi kalifornianët u mundën me rezultatin 90-95.
Ndërkohë, dy ekipet që kryesojnë Konferencat, Çikago dhe Oklahoma kanë fituar dhe kanë vazhduar dominimin. Çikago ka mundur lehtësisht Nju Xhersin me rezultatin 108-87, falë 25 pikëve të Karlos Buzër, i cili bëri të mos ndihej mungesa e Derrik Rouz, të dëmtuar gjatë periodës së parë të takimit. Edhe Oklahoma ka fituar përballë Portland, ndonëse ka djersitur për të marrë rezultatin 111-107, pasi është dashur koha shtesë për të fituar ndaj një prej skuadrave surprizë në Konferencën e Perëndimit. (LajmeShqip.com)
Rezultatet
06.02.2012
LA Klipërs-Orlando 107-102
Toronto-Uashington 108-111
LA Leikërs-Filadelfia 90-95
Feniks-Atlanta 99-90
Utah-Nju Jork 88-99
Çikago-Nju Xhersi 108-87
San Antonio-Memfis 89-84
Sakramento-Nju Orlins 100-92
Hjuston-Denver 99-90
Oklahoma-Portland 111-107
Tuesday, 07 February 2012 08:54