Presidenti i Bajern Mynih, Uli Hënes, ka zbuluar se klubi i tij i dha Borusia Dortmund para hua kur “kanarinat” ishin shumë pranë falimentimit.
Dortmund nuk kishte me çfarë të paguante lojtarët në vitin 2003, por Hënes tregoi që në vend që të gëzoheshin duke parë rivalët e përhershëm të zhdukeshin nga skena, bavarezët vendosën t’i ndihmonin ata duke u huazuar para që të lanin borxhet.
“Kur ata mësuan se nuk ishin më në gjendje të paguanin rrogat, ne u dhamë 2 milionë euro pa kolateral për disa muaj”, u tregoi Hënes tifozëve të skuadrës në Hamburg.
I pyetur rreth kësaj çështje, CEO aktual i Borusia Dortmund, Hans-Joakim Vatzke, konfirmoi se bavarezët e kishin ndihmuar klubin e tij në periudhë krize.
“Po, mund të konfirmoj se kemi huazuar para”, tregoi ai për mediat gjermane.
Por ky nuk është rasti i vetëm kur Bajern Mynih del në ndihmë të skuadrave të tjera, pasi bavarezët kanë dhënë ndihma financiare në të kaluarën edhe për Mynih 1860 dhe St. Paulin. (LajmeShqip.com)
Monday, 06 February 2012 15:52