Majemi ka siguruar fitoren e dytë radhazi, duke qenë tashmë më pranë Çikagos në garën për vendin e parë në Konferencën e Lindjes. Në ndeshjen kundër Torontos, vendimtar ka qenë i zakonshmi LeBron Xhejms që ka shënuar 30 pikë e 9 topa në tabelë për të udhëhequr skuadrën e tij drejt suksesit 95-89. Kanadezët kanë rezistuar më shumë se sa mendohej dhe kanë luftuar deri në minutën e fundit të takimit duke vënë në vështirësi vendasit të cilët i janë falur formës së Xhejms që ka zgjidhur situatën me 4 pikë radhazi.
Në ndeshjen tjetër të të dielës, Boston ka mundur Memfis me rezultatin 98-80, duke marrë suksesin e katërt radhazi. Protagonistë ishin përsëri “veteranët”, ku 35 vjeçari Kevin Garnet shënoi 24 pikë dhe 9 topa në tabelë, ndërsa Pol Pirs shënoi 21 pikë. Për Boston tashmë sezoni ka marrë një kthesë pozitive, pasi ekipi është kthyer në zonën e skuadrave që marrin pjesë në playoff. (LajmeShqip.com)
Monday, 06 February 2012 09:29