Java e 22-të e Serisë A ka dhuruar ndalesat e pesë skuadrave të para në renditje, duke filluar nga Juventusi kryesues që është ndalur në shtëpi në barazimin pa gola ndaj Sienës. Bardhezinjtë e Kontes kanë dominuar të gjithë takimin por nuk kanë gjetur dot rrugën e rrjetës, të ndalur nga portieri mik Pegolo me disa pritje të shkëlqyera. Të njëjtin fat e ka patur edhe Milan, që është ndalur në barazim 0-0 në shtëpi, por përballë ka patur një kundërshtar shumë më të rrezikshëm, Napolin. Megjithatë, më shumë se barazimi, kuqezinjtë i ka shqetësuar gjesti i Ibrahimoviç që është ndëshkuar me karton të kuq për një shpullë të dhënë ndaj një futbollisti kundërshtar dhe pritet të pezullohet nga komisionet e disiplinës. Me karton të kuq për protesta është ndëshkuar edhe trajneri Alegri.
Ndërkohë, rezultati i ditës është padyshim suksesi 4-0 i Romës ndaj Interit. Kryeqytetasit kanë dominuar tërësisht ndeshjen përballë skuadrës së ish-trajnerit Ranieri, duke shënuar fillimisht me Huan e pastaj me Borinin për të mbyllur pjesën e parë në avantazh të dy golave. Sulmuesi shënon edhe golin e tretë për skuadrën e tij, ndërsa goli i katërt vjen nga Krkiç, i futur në lojë si zëvendësues. Skuadra e Luis Enrikes vazhdon të jetë shumë mbrapa në luftën për titull por ka përfituar nga humbjet e Udinezes dhe Lacios për t’iu afruar sadopak vendit të tretë që çon në Ligën e Kampioneve. (LajmeShqip.com)
Rezultatet
Xhenoa-Lacio 3-2
Milan-Napoli 0-0
Roma-Inter 4-0
Kievo-Parma 1-2
Fiorentina-Udineze 3-2
Juventus-Siena 0-0
Leçe-Bolonja 0-0
Novara-Kaljari 0-0
Palermo-Atalanta 2-1
Renditja
Juventus 45, Milan 44, Udineze 41, Lacio 39, Inter 36, Roma 34, Napoli 31, Palermo 31, Xhenoa 30, Fiorentina 28, Kaljari 27, Kievo 27, Parma 27, Katania 23, Atalanta 23, Bolonja 22, Siena 20, Leçe 17, Çezena 16, Novara 13.
Sunday, 05 February 2012 17:31