Drejtori teknik i Realit të Madridit, Emilio Butragenjo, ka bërë të qartë se madrilenëve nuk u shkon në mend të vënë në diskutim të ardhmen e Zhoze Murinjos në drejtimin e kësaj skuadre. Pas fitores 1-0 në fushën e Getafes, ai ka bërë të qartë se të gjithë mendojnë se portugezi do të vazhdojë të qëndrojë në stolin e ekipit.
“Ne nuk duam të mendojmë për gjërat që thuhen rreth e rrotull për të ardhmen e trajnerit tonë. Jemi shumë të lumtur për mënyrën me të cilën po drejton skuadrën, jam i bindur se do të qëndrojë te ne edhe sezonin e ardhshëm. Çdo javë dalin zëra të rinj dhe si zakonisht, kjo nuk na shqetëson aspak”, ishte komenti i Butragenjos.
Ndërkohë, në konferencën për shtyp pas ndeshjes me Getafen është shfaqur përsëri zëvendëstrajneri Aitor Karanka, i cili ka bërë të qartë se skuadra nuk ka rrezikuar në asnjë moment të vërë në diskutim ndeshjen. “Fitorja ishte e vështirë vetëm për shkak të kushteve atmosferike. Skuadra luajti mirë dhe nuk e vuri asnjëherë në diskutim rezultatin e ndeshjes. Diferenca mund të ishte më e thellë në favorin tonë nëse do të kishim qenë më cinikë në zonën e tyre”, deklaroi Karanka. (LajmeShqip.com)
Sunday, 05 February 2012 12:00