Trajneri i Real Madridit, Zhoze Murinjo dëshiron të kthehet në Çelsi në fund të këtij sezoni. Portugezi, dy herë fitues i Champions League, vetëm në tre vjet ka fituar 6 trofe me ekipin londinez dhe është i prirur t’i kthehet këtyre sukseseve. Një burim i afërt me Murinjon konfirmoi për “The Sun”: “Zhoze do të kthehet tek Çelsi”.
Trajneri do të insistojë që pronari i këtij ekipi, miliarderi Roman Abramoviç, t’i japë atij kontrollin total të çështjeve të ekipit, dhe mos t’i ndërhyjë. Në këtë mënyrë, ai i garanton se do të sjellë ditët e lavdishme skuadrës.
Burimi shtoi: “Ai e di se gjërat janë rrëmujë atje. Ai gjithashtu e di se do të jetë e vështirë për tu rikthyer mbrapa dhe të bëjë të njëjtin ndikim si më parë”.
“Ai fitoi Premier League, të cilën klubi nuk e kishte fituar prej 50 vitesh dhe kjo ishte e pabesueshme. Kjo është arsyeja pse atë e dashurojnë ende tifozët dhe pse ai ende e dashuron klubin. Ato ishin ditë të veçanta”.
“Por para se palët të bien dakord, ai dëshiron ti qartësojë gjërat mes tij dhe Roman Abramoviç. Ai do t’i thotë ‘Roman, ju jeni pronar dhe unë jam shef këtu. Le të punojmë së bashku dhe pushteti është në duart tona’. Për Zhoze, partneriteti do të jetë i përsosur”. (LajmeShqip.com)
Friday, 03 February 2012 10:14