Vdekja e 74 tifozëve në stadium gjatë një ndeshje futbolli ka ringjallur protesta në Egjipt, një ditë pas ngjarjes tragjike. Më shumë se 10 mijë vetë kanë marshuar në shenjë solidariteti në Kajro nga zyrat e klubit Al Ahli, drejt Ministrisë së Brendshme, ndërsa situata është përkeqësuar dhe ka patur përplasje fizike me policinë.
Forcat policore përdorën gazin lotsjellës kundër mijëra demonstruesve jashtë Ministrisë së Brendshme, ndërsa këta të fundit po protestonin ndaj paaftësisë së policisë për të mbrojtur jetët e njerëzve në stadium.
Situata është tensionuar pasi turma ka kaluar pranë sheshit Tahir, simbol i revolucionit që largoi Mubarak nga pushteti, ndërsa vetë futbollistët e Al Ahli lëshuan thirrje kundër forcave policore. “Ky nuk është një incident sportiv, kjo është një masakër ushtarake”, ishin thirrjet e turmës.
Këta të fundit kishin ndërtuar barrikada para tyre me blloqe betoni dhe tela me gjemba, por demonstruesit i goditën ata me gurë. Si rrjedhojë, policia përdori gazin lotsjellës duke shpërndarë turmën, por në të njëjtën kohë duke sjellë edhe acarimin e mëtejshëm të situatës. Protestuesit i vunë flakën gomave në rrugë dhe për rreth një orë situata dukej e njëjtë me një vit më parë, kur shpërthyen demonstratat për largimin e Mubarak.
Ultrasit e skuadrës së Al Ahli kanë premtuar hakmarrje “dhëmb për dhëmb” për të vdekurit, ndërsa kanë deklaruar se fajtorët që do ta paguajnë janë forcat e policisë të cilët kanë lënë me dashje që të ndodhin ngjarjet në Port Said. Sipas tyre, kjo ka ndodhur pasi tifozët e Al Ahli kanë qenë gjithmonë të parët në protestat kundër Mubarak e së fundmi kundër ushtrisë.
Ndërkohë, kryeministri i vendit ka bërë të ditur se është shkarkuar nga puna i gjithë bordi drejtues i Federatës së Futbollit me në krye presidentin, shefi i sigurisë i Port Said si dhe guvernatori i këtij qyteti. Për të vdekurit nga kjo ngjarje janë shpallur tre ditë zi kombëtare.(LajmeShqip.com)
Thursday, 02 February 2012 20:12 