Seria A do të luhet e përgjysmuar këtë mesjavë për shkak të të ftohtit polar dhe të dëborës që ka bërë të papraktikueshëm një pjesë të stadiumeve.
Pas Parma-Juventus të të martës, përgjegjësit e sigurisë së stadiumeve në bashkëpunim me federatën italiane, kanë lajmëruar se janë shtyrë përfundimisht për një datë të pacaktuar edhe ndeshjet Bolonja-Fiorentina, Atalanta-Xhenoa dhe Siena-Katania.
Sipas njoftimeve zyrtare, bëhet e ditur se stadiumet nuk garantonin sigurinë e futbollistëve e sidomos atë të spektatorëve, për shkak se akulli kishte mbuluar shkallët e tifozëve.
Por kjo situatë pritet të vazhdojë edhe në ditët e ardhshme e si rrjedhojë, rrezikohen ndeshjet e fundjavës. Administratori i përgjithshëm i Milanit, Adriano Galiani, ka kërkuar zyrtarisht që të shtyhet ndeshja e kuqezinjve me Napolin, pasi mendohet që në fundjavë, temperaturat në Milano do të mbërrijnë në -10 gradë Celsius.
Situata kaotike ka hapur edhe njëherë debatin rreth stadiumeve në Itali, pasi shumë prej tyre janë të vjetër dhe nuk plotësojnë asnjë standard.
Të vetmit që bëjnë përjashtim janë bardhezinjtë e Juventusit me stadiumin e tyre të ri. Ata arritën të luanin normalisht ndeshjen ndaj Udinezes të shtunën, pavarësish reshjeve të dëborës, në një stadium të mbushur plot me tifozë. (LajmeShqip.com)
Wednesday, 01 February 2012 16:04