Trajneri i Realit të Madridit, Zhoze Murinjo, nuk i ka dhënë shumë rëndësi 7 pikëve avantazh që ka skuadra e tij në krahasim me ndjekësin më të afërt, Barcelonën, ndërsa ka akuzuar mediat se po bëjnë maksimumin për të prishur atmosferën brenda klubit.
“7 pikë? Mund të thonë shumë për shtypin por jo për mua. Ata që duan të krijojnë përçarje dhe të krijojnë konflikte, janë të njëjtët persona që sot shkruajnë se Madridi do të shpallet kampion dhe se Barcelona nuk ka asnjë shans për të na arritur”, ishte komenti i trajnerit, i dhënë për agjencinë portugeze të lajmeve “Lusa”.
Murinjo i referohej të gjitha informacioneve të publikuara në shtypin spanjoll gjatë javës së kaluar, sipas të cilave lojtarët dhe trajner nuk ishin më në unison dhe se kishte patur zënka mes palëve pas ndeshjeve me Barcelonën.
“Këta persona të shtypit, në humbjen apo barazimin e parë, do të thonë se Reali është në krizë dhe do të përpiqen në të gjitha mënyrat të minojnë ekuilibrin e skuadrës”.
“Gjithsesi, unë jam i qetë dhe i përgatitur, si për të keqen, asht edhe për të mirën”, deklaroi tekniku portugez. (LajmeShqip.com)
Monday, 30 January 2012 18:09