Eden Hazard është një nga emrat më të nxehtë të merkatos, pasi 21 vjeçari është përmendur si objektiv i thuajse çdo klubi të famshëm në Evropë. Por mesfushori i Lilës ka treguar se e ardhmja e tij është në kampionatin anglez të futbollit.
Në një intervistë për “Canal Plus”, Hazard ka zbuluar se transferimi do të bëhet vetëm gjatë verës. “Është e pamundur për mua të transferohem në janar. Ashtu siç e kam thënë edhe më parë do të mbaroj sezonin me Lilë pasi mund ta fitojmë përsëri titullin”.
Futbollist belg, pak kohë më parë, kishte shprehur interesin për t’iu bashkuar Paris Sent Zhërmenit, por tani ai ka vendosur që të ikë përfundimisht nga Franca.
“Kjo është një zgjedhje individuale mjaft e rëndësishme dhe një futboll që më përshtatet mua. Unë dua të iki nga Franca, ndonëse PSZH është një klub i madh. Unë dua të luaj në një vend tjetër, por dua të jem i sigurt që do të kem një vend në formacion”, tha ai.
Mançester Siti, Çelsi, Mançester Junajtid dhe Arsenal mendohet se janë vënë në gjurmët e lojtarit dhe janë interesuar vazhdimisht për çmimin e tij te drejtuesit e Lilës. Këta të fundit janë dorëzuar për shitjen e futbollistit, por tani kërkojnë 40 milionë euro për të. (LajmeShqip.com)
Monday, 30 January 2012 13:52