Mançester Siti ka refuzuar një ofertë nga Liverpuli që do të shihte sulmuesin Karlos Tevez të shkonte te kjo skuadër, për t’u ndërruar kokë më kokë me Endi Keroll.
Sipas dy gazetave të ndryshme angleze, Liverpuli ishte gati të pësonte një humbje prej 10 milionë paund në këtë marrëveshje, nëse pala tjetër do të pranonte.
Keroll i kushtoi “të kuqve” shumën rekord prej 35 milion paund kur u ble gjatë sezonin të kaluar nga Njukasëll, duke u bërë futbollisti i 8-të më i shtrenjtë në histori. Por nëse me Njukasëll ai ishte i jashtëzakonshëm para portës, me Liverpul ai ka dështuar tërësisht duke shënuar vetëm 6 gola në 36 takime.
Sipas “The Observer”, Liverpuli kontaktoi të enjten me drejtuesit e Sitit duke pyetur “sa kushtonte Tevez dhe nëse ishin të gatshëm për ta shkëmbyer me Keroll”. Po ky burim tregoi se Brajan Marud, administratori i Sitit, “e hodhi poshtë menjëherë si ide, ndonëse trajnerit Mançini i kishte pëlqyer ky lojtar në periudhën kur ai luante te Njukasëll”.
Edhe “The Sunday Times” e raportoi të njëjtën histori, duke shtuar se kryesuesit e kampionatit anglez kanë bërë të qartë se për Tevez do të pranojnë vetëm oferta që kalojnë shumën 25 milionë paund. (LajmeShqip.com)
Sunday, 29 January 2012 12:46