Kapiteni i Sao Paulo, portieri legjendar Roxherio Çeni, i cili mban rekordin botëror për gola të shënuar nga një portier duke qenë në kuotën 103, ka thënë se operacioni në shpatull nuk do të ndalë karrierën e tij.
Braziliani 39 vjeçar, fitues i Kupës së Botës në vitin 2002, u operua të premten në shpatullën e djathtë, pas një dëmtimi që pësoi me 15 janar gjatë fazës përgatitore.
“Do të më mungojë shumë futbolli gjatë këtyre muajve, por vazhdoj të mendoj për kthimin. Ky nuk është fundi, kemi ende shumë gjëra për të shkruar së bashku në historinë e klubit”, u shpreh ai në një mesazh të postuar në faqen e tij të internetit, drejtuar të gjithë fansave të skuadrës.
Çeni, pjesa më e madhe e golave të të cilit kanë ardhur nga goditjet e dënimit, është i vetmi futbollist që ka luajtur më shumë se 1000 ndeshje për Sao Paulo dhe ka ndihmuar klubin e tij të fitojë 3 tituj kampion radhazi nga viti 2006 në vitin 2008. (LajmeShqip.com)
Sunday, 29 January 2012 09:45