Karlos Tevez duket se është dorëzuar dhe shumë shpejt do të kthehet në Angli, ndonëse është nxjerrë jashtë skuadre nga trajneri Roberto Mançini. Pikërisht ky i fundit është fajtori kryesor për situatën e krijuar, gjithmonë sipas versionit të menaxherit të futbollistit, Kia Jorabçian.
“Që në momentin kur Mançini ka ardhur në Mançester, ai nuk ka shkuar asnjëherë mirë me Karlos. Që nga ngjarja e Mynihut, trajneri ia ka bërë jetën të pamundur këtij futbollisti. Të mendosh që ai ka bërë gjithmonë maksimumin për këtë klub, shkoi edhe në Itali për t’u riaftësuar nga dëmtimi që të luante në finalen e Kupës FA”.
“Tevez nuk është i vetmi që ka probleme me Mançinin. Adebajor, Belami dhe Given janë larguar në mënyrë të turpshme, ndërsa Brixh është lënë jashtë skuadre. Sigurisht, Roberto po ecën mirë në kampionat, po sa trajnerë të tjerë do të çonin dëm kaq shumë lojtarë cilësorë?!”, ishte komenti i menaxherit Jorabçian për mediat angleze.
Në fund, ai ka treguar se për sulmuesin argjentinas nuk ka mbetur gjë tjetër për të bërë veçse të kthehet në Angli në pritje të një transferimi gjatë verës. “Trajneri ka qenë shumë i qartë: Nuk e do më. Ndaj Karlos do të kthehet dhe do të stërvitet me ekipin e rezervave”. (LajmeShqip.com)
Saturday, 28 January 2012 13:42