Maksi Lopez është një futbollist i Milanit ndërsa Karlos Tevez mund të qëndrojë te Mançester Siti. Mbyllet kështu një nga telenovelat më të gjata të merkatos, që përfshiu një sërë klubesh dhe lojtarësh.
Kuqezinjtë kanë depozituar në darkë kontratën e nënshkruar me sulmuesin argjentinas të Katanias i cili prej dy ditësh gjendej në Milano në pritje për të njohur fatin e tij. Gjithçka është vendosur rreth orës 19:00, kur drejtuesit e Milanit dhe ata të Mançester Sitit nuk kanë gjetur akordin mes palëve për kalimin e Karlos Tevez.
Situata është përshkruar më së miri nga Adriano Galiani pas zyrtarizmit të Maksi Lopez. “Nëse në orën 18:30 dikush do më pyeste kush vjen, do t’i përgjigjesha Karlos Tevez. Kam bërë maksimumin për të por nuk ishte e thënë. Me Katanian dhe Maksi Lopez kishim një fjalë nderi prej kohësh. Maksi është një futbollist i fortë dhe i gatshëm”, ishte komenti i Galianit.
Sipas mediave italiane, ka qenë Mançester Siti që ka prishur marrëveshjen në minutën e fundit. Anglezët kanë përfshirë në kontratën e mundshme një klauzolë penale për një gjobë të mundshme nëse në fund Milani nuk do të pranonte të blinte Tevez gjatë merkatos së verës.
Kjo ka sjellë edhe refuzimin përfundimtar të Milanit si dhe nënshkrimin e marrëveshjes me Maksi Lopez. (LajmeShqip.com)
Friday, 27 January 2012 21:49