Odise Roshi është “basti” i Këlnit, që shpreson shumë te aftësitë e këtij futbollisti. Jo rastësisht, në faqen online të gazetës gjermane “Express”, është një reportazh për “raketën” Roshi dhe testet e tij të shpejtësisë.
“Shpejtësia është aftësia ime më e madhe. Kur isha në Shqipëri vrapoja 30 metrat në 3.7 sekonda, 100 metrat në 10.9 sekonda…”, tregon futbollisti shqiptar ndërsa gjendet në pistën e vrapimit të stadiumit “RheinEnergie” bashkë me dy trajnerët e atletikës, Tilman Bokhorst dhe Volker Herrman. Ata punojnë në Akademinë e Sportit dhe po këshillojnë futbollistin shqiptar si të përmirësohet më shumë.
Bokhorst është i mahnitur. “Nëse do të ishte me të rinjtë, do të ishte mes sprinterëve më të mirë të Gjermanisë”. Por Roshi dëshiron të mbetet një futbollist dhe shpreson që të tregojë vlerat e tij që këtë fundjavë kundër Shalkes.
“Shanset aktuale për të qenë mes titullarëve janë 50-50. Kjo është ajo për të cilën unë po luftoj në çdo stërvitje”, tregon 19 vjeçari Roshi. Kjo është edhe një prej arsyeve pse trajneri Solbaken i beson kaq shumë këtij futbollisti.
“Askush nuk dëshiron të luajë kundër tij në stërvitje, pasi ai hyn në çdo dyluftim me zemër. Edhe kjo të ndihmon në fushën e lojës”, janë fjalët e norvegjezit i cili sipas gazetës gjermane, shumë shpejt do t’i japë lojtarit shqiptar shansin e tij për të treguar vlerat përkrah Podolskit. (LajmeShqip.com)
Friday, 27 January 2012 17:31