Kapiteni i QPR, Xhoi Barton, ka treguar nëpërmjet Twitter se Federata Angleze e ka paralajmëruar që të mos bëjë më parashikime ndeshjesh në këtë rrjet social.
Rregulloret e Federatës Angleze i ndalojnë lojtarët që të vënë baste për aktivitetet ku përfshihen klubet e tyre apo t’i kalojnë informacion një pale të tretë që mund ta përdorë për të vënë baste.
Të dielën, Barton parashikoi në mënyrë të saktë për rreth 1.1 milionë ndjekësit e tij se dy skuadrat e Mançesterit do të fitonin ndaj Totenhem dhe Arsenal.
“Sapo mora paralajmërimin javor nga Federata, këtë radhë se kam “cicëruar” parashikimin e saktë të ndeshjeve të fundjavës. Sipas Federatës, nuk lejohet që unë të jap opinionin tim pasi mendojnë se ky mund të shihet si informacion i brendshëm. Këto njerëz janë kaq jashtë realitetit sa duket e pabesueshme”, ishte komenti i Barton për ngjarjen.
Sipas lojtarit, që kur ka filluar të përdorë Twitter në korrikun e vitit 2010, ai ka marrë rreth 30 letra paralajmërimi nga Federata rreth gjërave që ai zgjedh të “cicërojë” në këtë rrjet social. (LajmeShqip.com)
Thursday, 26 January 2012 18:02