Ndonëse kombëtarja shqiptare e futbollit të femrave ka shumë pak kohë që është krijuar, dy fitoret e para kundër Maqedonisë kanë bërë emër edhe në arenën ndërkombëtare.
Arjeta Krasniqi, mesfushorja e përfaqësueses kuqezi, e cila aktivizohet në kategorinë e katërt në kampionatin gjerman me DJK St. Hubert, tregon për mediat gjermane këtë eksperiencë të re.
“Fitoret ndaj Maqedonisë na kanë bërë më të fortë. Jemi në një formë të mirë dhe kemi fituar besim në vetvete. Presim me padurim ndeshjen e radhës”, tregon 22-vjeçarja me origjinë nga Kosova.
Trajneri i përfaqësueses shqiptare është Altin Rraklli, një personazh i njohur në Gjermani për karrierën e tij në klube të njohura të Bundesligës si Fraiburg e Herta.
“Trajneri është një person fantastik. Është liberal por edhe i disiplinuar dhe profesional. Ai është një njeri që di saktësisht çfarë dëshiron dhe që njeh kufijtë mes argëtimit dhe punës serioze”.
Por cili është objektivi që Arjeta dhe koleget e saj në kombëtare i kanë vënë vetes në fillimin e kësaj eksperience të re për futbollin shqiptar.
“Ne duam që të bëhemi kombëtarja më e fortë në Ballkan”, është premtimi i Arjetës. (LajmeShqip.com)
Tuesday, 24 January 2012 13:57