Zhoze Murinjo është duke shqyrtuar të ardhmen e tij te Reali, pasi tifozët janë të mërzitur më mënyrën se si luan ekipi që ai ka ndërtuar dhe për të cilën po sulmohet në vazhdimësi nga shtypi. Për më tepër, “Special 1” është mërzitur nga mungesa e besnikërisë nga lojtarë të caktuar.
Gazeta spanjolle “Sport” thotë se nëse ai vendos për tu larguar, mund të marrë me vete kontingjentin e tij portugez, të cilët u sollën në klub nga agjenti i tij Horge Mendes. Kristiano Ronaldo, Pepe, Rikardo Karvajo, Fabio Koentrao dhe argjentinasi Angel Di Maria, që të gjithë po mendojnë seriozisht për t’iu bashkuar Murinjos nëse ai zgjedh të tërhiqet nga Spanja.
Në një situatë të tillë, madrilenët kanë filluar të mendojnë që tani për zëvendësuesin dhe thuhet se kanë një marrëveshje verbale me ish trajnerin e Liverpul dhe Inter, Rafa Benitez.
Kjo hipotezë ka dalë në skenë që në sezonin e kaluar, kur Murinjo paralajmëroi se mund të largohej.
“Sport” thotë se te Real janë alarmuar nga zhvillimet e fundit dhe tashmë kanë një plan rezervë se kush duhet ta zëvendësojë portugezin.
“Benitez është kontaktuar nga presidenti i Real dhe ka bërë të qartë se ai do të mirëpriste një kalim tek gjigantët e Madridit”.
Benitez ka qenë një alternativë edhe në të kaluarën, por armiqësia e tij me ish-drejtorin sportiv, Horge Valdano, kishte zvarritur gjithmonë negociatat. (LajmeShqip.com)
Tuesday, 24 January 2012 11:20