Portieri i Real Madridit, Iker Kazijas ka theksuar se nuk ka probleme midis lojtarëve spanjollë dhe atyre portugezë në klub.
Ish-presidenti i klubit, Ramon Kalderon, kohët e fundit deklaroi se lojtarët spanjollë në Madrid nuk kanë pasur privilegje sikurse ata portugezë që pas emërimit të Murinjos. Ndërsa një raport nga “Marca” bëri të ditur se Kazijas kishte patur një mosmarrëveshje me trajnerin portugez.
Megjithatë, portieri ka mohuar se ka ndonjë problem në skuadër. “Unë nuk kam një marrëdhënie të keqe me ndonjë nga bashkë-lojtarët në ekip. Ne bashkëpunojmë në seancat e trajnimit, para ndeshjes si dhe në lojëra, si të gjitha skuadrat e tjera”, tha Kazijas për faqen zyrtare të klubit.
“Unë mund të zemërohem me dikë në një ditë të veçantë, apo dikush mund të zemërohet me mua, por kjo nuk është diçka për tu diskutuar. Nuk ka asnjë problem mes spanjollëve dhe portugezëve në skuadër”.
Real Madrid ka shënuar fitore 4-1 ndaj Atletik Bilbao të dielën për të rivendosur epërsinë prej pesë pikëve mbi rivalët e Barcelonës. (LajmeShqip.com)
Monday, 23 January 2012 13:39