Emri i parë në listën e dëshirave të Interit quhet Lukas. Talenti i San Paolos vazhdon të mahnitë me paraqitjet e tij dhe për këtë arsye, drejtuesit e klubit zikaltër e shohin atë me prioritet, për ta afruar gjatë merkatos dimërore apo në fund të sezonit.
Në favor të lojtarit ka folur edhe mbrojtësi brazilian i Interit, Lusio, i cili ka theksuar se sipas tij, ai ishte më i përshtatshëm për futbollin evropian se një tjetër yll brazilian, Neimar.
“E njoh mjaft mirë, Inter duhet ta merrte me vrap atë. Është një sulmues krahu me shumë cilësi, të cilave i bashkohet edhe një shpejtësi e jashtëzakonshme. Ai impenjohet maksimalisht edhe në stërvitje, është një djalë i qetë. Gjatë Kupës së Amerikës, në ndeshjet përgatitore, vihej përballë Dani Alvesh dhe ju garantoj që ishin gjithmonë beteja të ndezura. Lukas apo Neimar? Mendoj se Lukas është më i përshtatshëm për futbollin italian dhe evropian”, ishin fjalët e Lusios.
Ndërkohë, mediat braziliane kanë raportuar se familja e futbollistit dhe menaxheri i tij kanë qenë në Milano. Ndonëse ata e kanë justifikuar këtë si një udhëtim turistik, mendohet që në fshehtësi ata të jenë takuar me zikaltërit për t’i hapur rrugën një marrëveshje të mundshme për transferimin e sulmuesit. (LajmeShqip.com)
Saturday, 21 January 2012 14:15