Legjenda e futbollist botëror, sulmuesi brazilian Pele, i ka idetë e qarta: Ai është futbollisti më i mirë i të gjitha kohërave dhe vështirë se argjentinasi Lionel Mesi mund ta arrijë atë.
Duke folur për gazetën franceze “Le Monde”, Pele nuk ka ngurruar të tregojë arsyen pse e mendon në mënyrë të tillë, ndërsa ka sqaruar se çdo krahasim mund të bëhet vetëm nëse lojtari i Barcelonës do të arrijë nivelet e tij kur të mbyllë karrierën.
“Mesi, lojtari më i mirë i të gjitha kohërave!? Ai është një lojtar i madh. Por do të flasim për këtë çështje pasi ai të ketë fituar 3 Kupa Bote dhe të ketë shënuar 1283 gola”, ishte komenti i brazilianit, duke iu referuar statistikave të karrierës së tij.
Ndërkohë, Pele nuk ka ngurruar të tregojë se futbolli botëror ka nevojë për pastrim nga korrupsioni që ka përfshirë sferat e larta.
“Duhet bërë pastrim, por jo vetëm në futbollin brazilian. Tani është koha e duhur për të pastruar FIFA-n, nga koka te këmbët”, ishte deklarata e Pele për gazetën franceze. (LajmeShqip.com)
Friday, 20 January 2012 18:32