Ylli i ri i futbollit brazilian, Neimar, ka deklaruar se për momentin nuk do të lëvizë nga Brazili dhe se do të vazhdojë të mbetet një lojtar i Santos. I përzgjedhur si “Lojtari më i mirë në Amerikën Latine” nga gazeta “El Pais”, gjatë ceremonisë së dorëzimit të trofeut ai ka bërë të qartë se nuk po mendon për interesimin që vjen nga klube me emër si Barcelona apo Real Madrid.
“Kam një kontratë deri në vitin 2014 me Santos dhe dëshiroj që të qëndroj në Brazil dhe ta çoj atë deri në fund. Pas saj, nuk di të them çfarë do të ndodhë. Ëndërroj të luaj në Evropë, por nuk e di kur do të jetë e mundur një gjë e tillë”, u shpreh sulmuesi.
“Dëshiroj të luaj dhe të fitoj Kupën e Botës në Brazil në vitin 2014. Po përgatitem që tani për atë aktivitet dhe shpresoj që të kemi një ekip të fortë në mënyrë që të synojmë titullin. Megjithatë, tani për tani po mendoj vetëm që të punoj sa më shumë dhe të bëhem një futbollist më i mirë çdo ditë”, përfundoi Neimar. (LajmeShqip.com)
Friday, 20 January 2012 12:03